Veliera shkel të ardhmen, lashtësinë dhe ligjet

0

Nga Gjergj Bojaxhi, Anëtar i Forumit të Trashëgimisë Kulturore

Nëse kthehemi pas në histori rezulton se Durrësi ka qenë koloni helene e më pas romake, andaj i gjithë qyteti është ndërtuar sipas një ndërthurjeje të veçantë arkitekturore. Ndërthurja e këtij lloji qyteti antik me atë të ri përbën një rast unik dhe duhet të shihet si oportunitet dhe jo barrë. Si rrallë herë në qytetet historike, në Durrës ndodh ndërthurja e dy epokave të hershme të ndryshme, dy stileve arkitekturore dhe dy qytetërimeve, për të cilat duhet të synohet vazhdimësia. Përballë një trashëgimie të tillë, të cilën shumë qytete në botë do ta lakmonin, institucionet tona guxojnë të rrezikojnë ekzistencën e saj. Trashëgimia kulturore është pasuri kombëtare dhe ligjërisht, duhet të ruhet e mirëmbahet nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës. Kjo ministri duhet të udhëheqë dhe vendosë strategjitë e zhvillimit të trashëgimisë arkeologjike në harmoni me zhvillimin urban, konkretisht edhe për qytetin e Durrësit. Ironikisht Bashkia Durrës, pavarësisht protestave të mëparshme nga Forumi Trashëgimisë Kulturore ka ndërmarrë ndërtimin e projektit “Veliera”, i cili thellon edhe më tej shkatërrimin e rrënojave të qytetit të antik. Si rasti më i fundit I çmendurisë së shkatërrimit të trashëgimisë mijëra vjeçare, është shkelja flagrante e një sërë ligjesh, rregullash dhe praktikash profesionale.

Së pari, Ministria e Kulturës duhet të kishte ndërtuar një plan kulturor kombëtar për strategjinë e zhvillimit të trashëgimisë arkeologjike duke përfshirë Durrësin, në harmoni me zhvillimin urban aktual që presupozon konsultën me Bashkinë. Strategjia duhet të përcaktonte qartë se cilat pjesë historike duhet të ruhen dhe nxirren në pah për të krijuar panoramën e qytetit antik dhe se cilat pjesë do të mund të integrohen në një zhvillim modern, pasi te jete bërë gërmimi dhe studimi i tyre. Pikërisht, një strategji e tillë mungon qëllimisht, duke lejuar që çdo gjetje antike që zbulohej gjatë ndërtimeve moderne, e që “bezdiste” ndërtuesit, të rrëshkiste në labirinthin dhe korrupsionin institucional, për ta shkatërruar apo mbuluar me beton. Mungesa e këtyre planeve strategjike mbrojtëse nuk është neglizhim, por strategji për të lejuar këto praktika korruptive. Maksimumi i “strategjisë” ndër vite ka qenë zonifikimit arkeologjik, i cunguar dhe ky, me vendim të Këshillit të Ministrave, pra zona A dhe zona B, e cila përcakton rregullat e ndërtimeve moderne dhe karakterin e tyre. Por, rasti i Durrësit bën përjashtim me favoret e bëra për klientët e mirë të politikës duke lënë jashte zonës A hapësirat që përfshinin edhe ‘Lulishten 1 Maji”, e cila pak pas këtij vendimi u përball me një nga masakrat më të madheja që i është bërë Durrësit antik. Megjithëse zyrtarisht Instituti Arkeologjisë ka propozuar rishikimin e zonifikimeve arkeologjike, përfshirë edhe Durrësin nuk ka as strategji dhe as kufinj të rinj të zonës arkeologjike.

Propozimi është prezantuar publikisht në njërën prej mbledhjeve të KKA-së, në pranverën e vitit 2015. Ministria propozimit të arkeologeve për të marrë nje vendim i është përgjigjur me një proces, pasi vetëm kur ka interes për të prishur kolohet direkt në vendime ndërsa për të ruajtur duhet patjetër të futemi në procese pa fund. Procesi i Ministrisë së Kulturës për një takim ndërinstitucional, nuk ka marrë kurrë një përgjigje të qartë nga Bashkia e Durrësit, edhe pse kanë kaluar 2 vite. Fatkeqësisht duket qartë se politikat e administrimit të trashëgimisë kulturore, të paktën për sa i takon Durrësit, i projekton dhe menaxhon Kryetari i Bashkisë dhe jo Ministria e Kulturës. Normal, kryetari bashkise mbledh vota ndërsa ministrinë e kemi thjesht për fasadë që të genjejmë veten dhe dynjanë që ne jemi shtet modern. Së dyti, në zonat e mbrojtura në çdo vepër ndërtimore para fillimit të punimeve, duhet patjetër të kryhen sondazhet arkeologjike që i bën ASHA -Agjensia e Shpëtimit Arkeologjik apo të kontraktohet një tjetër kompani ose institucion me të drejta gërmimi arkeologjik. Pas realizimit të sondazheve, duhet të ishte mblidhur KKA dhe të vendoste në funksion të asaj që është gjendur, sesi do të proçedohet në vazhdim. Fatkeqësisht rastin e Velierës këto procedura mbeten hipotetike, pasi këto sondazhe nuk u bënë, por u futën pilotat e betonit direkt në një zonë të arkeologjike të kategorisë A në shkelje të qartë të ligjit. Sic duket ligji është kamzhik për qytetarin por jo pë rata që zgjidhen nga qytetarët për te administruar interesin e përbashket. Së treti, ky rast përbën shkelje edhe nga ASHA. Ky organ është njëherazi edhe Sekretari Teknike e KKA-së dhe trajton rregullsinë e dokumentacionit, si dhe merr taksën e investimit. Pra, ASHA duhej të merrte masë pezullimi dhe masë administrative ndaj Bashkisë. Nuk duhej të lejonte kalimin në etapën tjeter, pra në parashtrimin e dosjes se Projektit te Bashkisë para komisionit të KKA, për trajtim, pasi: – Veliera është në shkelje e ligjit që ndalon ndërtime në Zonën A. – Veliera është në shkelje të ligjit që ndalon çdo ndërtim edhe në Zonën B, pa kryer sondazhet. Gjithashtu, në lidhje me mbitokën dhe torrën veneciane, është shkelur neni 32 të ligjit 9048, datë 07.04.2003 «Për trashëgiminë kulturore» i ndryshuar i cili thotë (citoj) : “1. Për monumentet e kulturës përcaktohet një sipërfaqe toke ose trualli përreth, si zonë mbrojtëse, në përputhje me vlerat e tyre arkitektonike, me përshtatshmërinë e tyre urbanistiko-estetike, me rrethinën dhe me rrethanat ekologjike. 2. Përmasat e zonës mbrojtëse përcaktohen nga organi që shpall monumentin, sipas studimit të bërë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.”

Nuk e dimë nëse Veliera mund të ndërtohet aq pranë ndërkohë institucioni i monumenteve të kulturës që duhet te ishte shprehur thjesht hesht. Në përfundim, përpos shkeljes së Bashkisë së Durrësit u shtuan shkeljet nga institucionet e tjera, ku jo të gjitha u përmendën, të cilat janë krijuar dhe paguhen për të shmangur katastrofa të tilla. Durrësi antik fatkeqësisht rrezikon te fshihet jo për te ndërtuar nje model të ri të së ardhmes, vizioni i së cilës të paktën duhet të përpiqej të na bashkonte, por per të kënaqur disa interesa ordinere private dhe afatet politike të fushatës së ardhëshme. Për kaq pak po shkatërrojme kaq shumë. Në vend që të debatojmë vizionin e të ardhmes tonë jemi të detyruar të numërojmë shkeljet ligjore për tendera betoni. Mungesa e arkeologëve aktivë të fushës në këtë debat publik tregon qartazi se kemi të bëjmë jo thjesht me një arrogancë pushteti që as nuk denjon të respektojë ligjet që i ka bërë vetë por edhe me presion mbi profesionistët e fushës të mos flasin publikisht. Këtë artikull po e bëj jo vetëm për qytetarët por edhe për disa nga ata profesionistë të fushës që nuk e kanë mundësinë të ngrënë zërin me shpresën që sado pak të kem shprehur disa nga ato pak cështje që ata vetë do të donin ti shprehnin publikisht.