Preambula

Vjen një kohë në harkun historik të një vendi, kur më e mira dhe më të mirët që ai vend zotëron, duhet të dalin në pah dhe të bashkohen për të shpallur dhe përkrahur një sfidë të re, një vizion të ri dhe një marrëveshje të re shoqërore.

Pas një çerek shekulli të gjatë e të lodhshëm, të mbizotëruar nga një shkëmbim i pafund etiketash politike, e ndërkohë të karakterizuar nga shpërfytyrimi dhe shpërdorimi i burimeve njerëzore apo natyrore me të cilat ky vend është bekuar, Shqipëria ka më shumë nevojë se kurdoherë për këtë sfidë, vizion dhe marrëveshje të re.

Kjo nuk është thjesht një thirrje për krijimin e një partie, por për fillimin e një lëvizjeje të hapur qytetare, e cila ka për qëllim angazhimin e çdo qytetari, si pjesë thelbësore dhe e domosdoshme e shoqërisë, për t’i dhënë fund plaçkitjes dhe makinerisë së korruptuar të pushtetit.

Qytetari duhet të rikthehet aty ku atij i takon: Në qendër të arsyes për qeverisje. Çdo qytetar duhet të marrë në dorë fatin e tij dhe të shpalosë vullnetin e tij të lirë politik, duke hedhur poshtë ofertat pretenduese dhe duke u rikthyer në fronin e tij si sovran.

Duke reflektuar mbi domosdoshmërinë dhe detyrimin moral dhe politik që ne kemi ndaj këtij vendi, si edhe brezave pararendës dhe atyre pasardhës, ne propozojmë dhe bëjmë thirrje për një marrëveshje të re midis qytetarëve, për qytetarët, dhe nga qytetarët, që respekton dhe reflekton interesat e tyre mbi ato të klasës politike.

Të vendosur në mbrojtje të të drejtave të individit, të pronësisë dhe të lirisë, ne propozojmë dhe bëhemi flamurtarë të ideve dhe politikave që rishkruajnë marrëveshjen shoqërore të qytetarëve shqiptarë për të sfiduar korrupsionin politik, ekonomik dhe ligjor që vazhdon të zbehë gjallërinë e popullit tonë.

Ne garantojmë se në themel të kësaj sfide të përbashkët qëndron besimi ynë i patundur në barazinë e plotë përpara ligjit të çdo qytetari, respektimi i të drejtave themelore për të gjithë dhe krijimi i një shoqërie të drejtë, të lirë dhe të hapur. Këto nuk janë privilegje që varen nga edikte pushtetare, por  janë tonat krejtësisht si rrjedhojë e humanitetit tonë, dinjitetit dhe respektit që na takon ne si qënie njerëzore.

Garantor i kësaj barazie dhe këtyre të drejtave do të jetë një sistem drejtësie i pavarur, i paanshëm dhe i pakorruptuar, si edhe një qeverisje nga një administratë publike profesionale, jomilitante dhe në shërbim të qytetarëve. Zhvillimi ekonomik i vendit, kryesisht përmes inkurajimit të sipërmarrjes private, është i domosdoshëm për të ruajtur sovranitetin e plotë të çdo qytetari dhe për mbrojtjen e interesave kombëtare.

Për të krijuar një shoqëri të tillë, ne synojmë ta mbajmë pushtetin sa më pranë burimit të tij: Qytetarit. Roli i shtetit është për t’i shërbyer qytetarit dhe ai ekziston që të mbrojë të drejtën e pamohueshme të qytetarëve që të arrijnë këto ideale, të kontribuojnë në shoqëri dhe të marrin pjesë në marrjen e vendimeve që prekin jetën e tyre.

Ne ftojmë, nxisim dhe u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që t’i bashkohen kësaj sfide, vizioni dhe marrëveshjeje të re dhe të hapur qytetare.  Së bashku, ne mund t’i sjellim kësaj shoqërie dhe këtij vendi atë liri, drejtësi dhe zhvillim ekonomik që i mungon, por që e meriton.

Qytetari është Sovran.

Shkarkoni PDF-në